Qeveria e Kosovës do ta mbajë mbledhjen e parë të rregullt sot në orën 10:00.
Gazeta Sinjali merr vesh se pikat e para të mbledhjes së sotme të qeverisë kanë të bëjnë me shfuqizimin e disa vendimeve të marra nga Qeveria Haradinaj.
Qeveria Kurti pritet ta shfuqizojë edhe vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar, ku pagat e kryeministrit dhe ajo e ministrave do të kthehen të jenë ato që kanë qenë para se Haradinaj t’i rrisë ato.
Në mesin e vendimeve që pritet të shfuqizohen sot janë edhe disa që ndërlidhen me strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit.
Përveç shfuqizimit të këtyre vendimeve, qeveria pritet që ta bëjë emërimin e Komitetit për Partneritet Publiko-privat e t’i kërkojë Kuvendit të Kosovës zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars.
Njëra nga pikat e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i nismës për negocimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital në mes të Kosovës dhe Finlandës. Qeveria do ta shqyrtojë edhe një marrëveshje të këtij lloji mes Kosovës dhe Holandës.
Kjo do të jetë mbledhja e parë e rregullt, pas asaj ceremoniale një ditë pas votimit të qeverisë në Kuvendin e Kosovës. /Gazeta Sinjali/