image Qeveria mban mbledhje, merren tri vendime

Politikë

Qeveria mban mbledhje, merren tri vendime

news image

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, gjatë së cilës ka marrë tri vendime, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas një njoftimi për media këto janë vendimet e marra:

  1. Plotësimi i Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022 duke shtuar Projektligjin për Anti Doping.
  2. Shfuqizimi e pikave 2.2 dhe 2.3 të Vendimit të Qeverisë Nr.02/39 të datës 03.06.2020 me të cilin obligoheshin ndërmarrjet publike qendrore të krijojnë një sistem të mirëfilltë dhe të njësuar të menaxhimit të kontratave komerciale
  3. Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për Programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”

Njoftimi i plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, sot ka mbajtur një mbledhje elektronike në të cilën ka marrë tre vendime.

Së pari, është plotësuar Programi Legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022 duke shtuar Projektligjin për Anti Doping. Vendimi do të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pastaj, me vendim të ri janë shfuqizuar pikat 2.2 dhe 2.3 të Vendimit të Qeverisë Nr.02/39 të datës 03.06.2020 me të cilin obligoheshin Ndërmarrjet Publike Qendrore të krijojnë një sistem të mirëfilltë dhe të njësuar të menaxhimit të kontratave komerciale.

Pikat e shfuqizuara parashihnin që asnjë Ndërmarrje Publike Qendrore nuk mund të lidhte kontratë komerciale pa pëlqimin e ministrit përgjegjës nëse kontrata përmban klauzolë për zbatimin e së drejtës së huaj dhe detyrim të Ndërmarrjes Publike Qendrore për të paguar dënim kontraktues ose dëmshpërblim të likuiduar, nëse dënimi ose dëmshpërblimi tejkalon shumën prej 5.000,00 € (pesë mije euro). Në kohën kur Qeveria e mëparshme kishte marrë këtë vendim, Ndërmarrjet Publike ndodheshin në rrezik të vazhdueshëm të krizave financiare si pasojë e humbjes së rasteve nëpër gjykata për shkak të nënshkrimit të kontratave të pafavorshme komerciale nga ana e menaxhmentit të tyre.

Me përmirësimin e qeverisjes korporative në Ndërmarrjet Publike dhe përparimit në drejtim të emërimit të bordeve të rregullta dhe menaxhmentit të tyre, konsiderojmë që mekanizmat e kontrollit të vendosura në këto pika tanimë janë të panevojshme.

Dhe në fund është miratuar edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për Programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”. Në negocimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.​

/GazetaSinjali/