image Qeveria Kurti zotohet se do ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e "Zajednicës"

Kosovë

Politikë/ Qeveria Kurti zotohet se do ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e “Zajednicës”

news image

Qeveria në detyrë ka marrë përsipër zbatimin e të gjitha zotimeve të cilat ndërlidhen me marrëveshjet që derivojnë nga dialogu i Brukselit. Kjo është evidentuar në Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) 2020-2024, i cili është miratuar javën e kaluar në ekzekutiv.

Pjesë e obligimeve të MSA-së gjithashtu është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, respektimi i parimeve të bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimi efektiv me misionin e Politikës të Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Aty përmendet edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, mekanizëm ky kundër të cilit ka qenë në vazhdimësi Lëvizja Vetëvendosje dhe të cilin e ka quajtur “Zajednicë”. Por, nuk saktësohet rruga që do të ndiqet dhe veprimet që mund të ndërmerren.

“Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e Kosovës gjithnjë do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shkruan në Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-s, një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”.

Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e marrëveshjes, por nuk e ka rrëzuar atë, duke rekomanduar që shkeljet të evitohen me rastin e draftimit të statutit. Kjo marrëveshje e cila është derivat i marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nga viti 2013 është trajtuar disa herë. Por, marrëveshja e parimeve për Asociacionin/Bashkësinë e nënshkruar në vitin 2015 gjatë qeverisjes së udhëhequr nga Isa Mustafa ishte shpallur antikushtetuese. Në marrëveshjen e koalicionit dhe programin qeverisës VV-LDK nuk ishte trajtuar themelimi i Asociacionit/Bashkësisë. Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë, pati organizuar protesta bashkë me partitë e tjera të opozitës, në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Gazeta ka pyetur të hënën në qeverinë e Kosovës se si do të trajtohet kjo çështje, por kanë thënë se do të përgjigjen më vonë. /Gazeta Sinjali/