image Qeveria i gëzohet miratimit të rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Europian

Politikë

Qeveria i gëzohet miratimit të rezolutës për Kosovën nga Parlamenti Europian

news image

Qeveria Kosovës ka përshëndetur miratimin e sotëm nga Parlamenti Europian të raportit për Kosovën, i cili, siç thotë Qeveria, evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

“Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport”.

Zyra e Kryeministrit në komunikatën për media ka përmendur disa nga pjesët e këtij raporti ku lavdërohet Kosova, përfshirë edhe paragrafët përmes të cilëve PE kërkon që të mbështetet Kosova në rrugën e saj integruese.

Komunikata e plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, përshëndet miratimin e sotëm nga Parlamenti Evropian të raportit për Kosovën, i cili evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.

Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport.

Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP e NATO-s dhe INTERPOL.

Lavdëron Kosovën për aktivitetin e shtuar legjislativ në lidhje me reformat e agjendës evropiane dhe përparimin në zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane II dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Mirëpret periudhën më të gjatë të stabilitetit politik deri më tani pas zgjedhjeve të vitit 2021.

Në raport kërkohet nga shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme.

Në mes të tjerash, në zhvillim ekonomik vlerëson pozitivisht performancën e jashtëzakonshme të eksportit, rritjen ekonomike si dhe politikat për të lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe të çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe bizneset më të prekura.

Në lidhje me procesin e dialogut, i bazuar në njohjen reciproke, Kosova vlerësohet si palë e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive. Ndërkohë, dënon Serbinë për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake, si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në raport evidentohet dhe mirëpritet veçanërisht angazhimi dhe dialogu i shtuar me serbët e Kosovës gjatë vitit të kaluar.

/GazetaSinjali/