Qeveria e Shqipërisë vendosi këtë të mërkurë të shpallë datën 2 qershor ditë zie kombëtare, në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili vdiq më 28 maj.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ndërsa, ceremonia e homazheve do të zhvillohet nesër në Tiranë nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.
Bujar Nishani, i cili shërbeu si president i Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017, vdiq në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore.
Nishani ka mbajtur edhe poste tjera të rëndësishme në Qeverinë e Shqipërisë, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.
Pak ditë më parë ai u dërgua në Gjermani për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.
I lindur në qytetin port të Durrësit, Nishani u diplomua në Akademinë Ushtarake dhe më pas u diplomua për Drejtësi. Fillimisht, ligjëroi në Akademinë Ushtarake dhe më pas shërbeu në poste të larta në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë.
Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005, shkruan REL.
Ndërkaq gjatë vizitës së fundit në Kosovë më 2017, teksa përmbyllte mandatin e presidentit, Bujar Nishanit iu nda mirënjohja “Urdhri i Lirisë”, për kontributin për “popullin shqiptar, angazhimin për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme”.