Pas disa shtyrjeve, Qeveria e Malit të Zi ka miratuar më 8 prill sanksione kundër Rusisë, për shkak të sulmit të paprovokuar kundër Ukrainës.
“Sapo është miratuar një paketë masash kufizuese kundër Rusisë! Faleminderit të gjithë ministrave për bashkëpunimin!”, ka thënë zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq përmes një postimi në Twitter.
Pas vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, institucionet qeveritare duhet të ngrijnë pronat dhe burimet ekonomike të disa shtetasve dhe kompanive ruse në Mal të Zi dhe të ndalojnë punën e mediave qeveritare ruse.
Hapësira ajrore malazeze ishte e mbyllur më parë për avionët rusë, sepse vendimi formal i Qeverisë nuk ishte i nevojshëm për atë vendim.
Për shkak të mungesës zyrtare të kryeministrit Zdravko Krivokapiq, seancën e së premtes e ka drejtuar Abazoviq.
Më 1 mars, Mali i Zi në mënyrë deklarative iu bashkua sanksioneve të miratuara nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë, por Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq shmangu marrjen e një vendimi që ato të mund të zbatoheshin në praktikë.
Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq iu dha votë mosbesimi në fillim të shkurtit të këtij viti dhe deri më tani nuk është zgjedhur kryeministër i ri.
Brenda Qeverisë janë dy rryma të kundërta në mandatin teknik, të drejtuara nga kryeministri Krivokapiq dhe zëvendëskryeministri Abazoviq.
Abazoviq këmbënguli që Qeveria të miratojë një vendim për zbatimin e sanksioneve ndaj qytetarëve rusë që janë në listën e zezë të Bashkimit Evropian, derisa Krivokapiq propozoi formimin e një “trupi koordinues për të monitoruar futjen dhe zbatimin e masave ndërkombëtare për kriza në Ukrainë”.
Në seancat e kaluara të Qeverisë nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme nga ministrat për miratimin e ndonjë propozimi.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë vazhdimisht thirrje Malit të Zi që të zyrtarizojë sanksionet kundër Rusisë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi njoftoi më 7 prill se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mori garanci nga kryeministri Krivokapiq se Mali i Zi do të miratonte sanksione.
Më 7 mars, Qeveria e Rusisë e përfshiu Malin e Zi në listën e vendeve të huaja që “kryen veprime armiqësore kundër Rusisë, personave juridikë dhe fizikë rusë”, shkruan REL.
Lista përfshin edhe anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Slloveninë dhe Kroacinë, si dhe Shtetet e Bashkuara, Australinë, Britaninë e Madhe, Kanadanë dhe të tjerë.
Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.