image Qeveria e Kurtit nis shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Kosovë

Vendim/ Qeveria e Kurtit nis shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit

news image

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i pamundësojë Agjencisë Kosovare të Privatizimit të marrë vendime.

Kjo u propozua nga ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

“Të kërkohet nga AKP të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat paluajtshme nga lista e aseteve për qiradhënie me karakter specifik e azhurnuar e shpallur më 5 mars 2020”, tha ajo në mbledhje të qeverisë.

Hajdari tha se marrja e vendimeve për qiradhënie mund t’ia zgjasë mandatin AKP-së dhe t’i shkaktojë dëme Kosovës.

“Si arsyetim shtesë është që AKP ka në plan të japë me qira disa asete të rëndësishme dhe qeveria duhet t’i kërkojë AKP-së të ketë parasysh programin e qeverisë sepse nëse AKP realizon qiradhëniet, ato do të zgjasin pa nevojë mandatin AKP-së dhe mund t`i shkaktojnë humbje Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se gjërat kanë ndryshuar më 6 tetor dhe se AKP nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Në Kosovë kemi institucione të cilat duan të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë as me 6 tetor e as më 3 shkurt. Ne tash kemi edhe program qeverisës së shpejti edhe plan pune. Në ligjin për AKP neni 5 pika 3 thotë që gjatë vendimmarrjes agjencia merre parasysh të gjitha politikat përkatëse të cilat mund të miratohen nga qeveria ose Kuvendi”, tha ai.

Kurti më tutje ka thënë se ‘një institucion që nuk e di sa javë i ka nuk mund të marrë vendime për 5 vitet e ardhshme’.

Teksa në programin e Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet se “Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj do t’i kalojnë Fondit Sovran i cili është fond investues dhe instrument i zhvillimit industrial”.