Qeveria e Kosovës i ka vendosur sanksione Federatës Ruse dhe Bejllorusisë, shkaku i ngjarjeve të cilat po ndodhin që nga 24 shkurti në Ukrainë, e cila po përballet me një agresion të ashpër rus.
Por, përveç shteteve të lartcekura, Qeveria e Kosovës i ka vendosur sanksione edhe dy grupeve të shpallura terroriste nga Bashkimi Evropian, IS (Islamic State) dhe AL-Kaeda, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sanksionet ndaj dy grupeve të shpallura terroriste, të cilat veprojnë në Afganistan dhe rajon, përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve të dy organizatave dhe individëve të tyre në Kosovë.
“Këshilli i BE-së më datë 21 shkurt vendosi t’i shtojë sanksionet e BE-së për dy grupe të ndërlidhura me IS dhe Al-Qaeda, që veprojnë në Afganistan. Individët dhe personat e sanksionuar janë të përfshirë në planifikime terroriste në Afganistan dhe rajon”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.