Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
“Absolutisht e pavërtetë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë.
Shpikjet e tilla, sipas tij, kanë për qëllim “arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit”, të cilat “duhet të largohen menjëherë”.
“Ftojmë qytetarët tanë në veri që t’i ndjekin njoftimet dhe t’u besojnë institucioneve tona dhe të mos bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale, që synim kanë ta mbrojnë vetëm veten”, tha Kryeziu.
Më herët, udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se në bazë të informacioneve që ka, Kurti do të dërgojë të dielën mbrëma forca të armatosura, përfshirë njësinë speciale, në veri të Kosovës, “për të përndjekur popullin tonë”.
Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, disa banorë lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugë qysh të shtunën pasdite.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë thirrje për largimin e mënjëhershëm të barrikadave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”.