Kulturë/ Qendra kulturore “Nexhmije Pagarusha” është lënë në harresë

news image

Ka kaluar më shumë se një vit kohë prej kur Ministria e Kulturës ka planifikuar të përgatisë planin për një qendër kulturore në Pagarushë të Malishevës.

Qëllimi i projektit ka qenë që kjo qendër të mbante emrin e Nexhmije Pagarushës, në nderim të bilbilit të muzikës shqipe, dhe mendohej që themelet e kësaj qendre të viheshin vitin e kaluar.
Për një gjë të tillë ishte pajtuar edhe vetë këngëtarja, e cila vdiq ditën e premte të javës së kaluar.

Por për një qendër në emër të saj ende nuk është përzgjedhur as projekti, shkruan koha.net. Anipse, vitin e kaluar ishin paraparë afro 200 mijë euro për projektim dhe punime.  Arsyeja pse ky projekt është zvarritur janë një varg ankesash në Ministrinë e Kulturës dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Nexhmije Pagarusha ka vdekur të premten në moshën 86 vjeçare dhe është varrosur në fshatin Pagarushë të Malishevës. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin