Të dhënat e Agjencisë për Punësim në Maqedoninë e Veriut kanë bërë të ditur se nga marsi deri në dhjetor, numri i të papunëve është rritur për 0.3 për qind, por krahasimi i periudhës së njëjtë në vitin 2019 tregon se papunësia është ulur për 0.6 për qind, përcjellë Gazeta Sinjali.
Të dhënat të cilat tregojnë rritje të papunësisë janë edhe nga qytetarët e rinj deri në moshën 29 vjeçare të cilët për herë të parë regjistrohen në Agjencinë për Punësim, tha ministrja Jagoda Shahpaska, si dhe nga një numër i caktuar i qytetarëve të cilët në periudhën e kaluar kanë punuar në bazë të kontratave autoriale, kanë punuar me kontratë në vepër ose kishin munguar në shtet një kohë të gjatë dhe nuk janë regjistruar në Agjencinë për Punësim, ndërsa tani janë të motivuar për shkak të katër pakove të masave ekonomike në të cilat janë përfshirë edhe të papunët dhe merrnin ndihmë financiare.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, theksoi se përmes Planit Operativ të Programeve dhe Masave dhe bashkë me Agjencinë për Punësim punojnë në kthimin më të shpejtë në tregun e punës të personave të cilët kanë mbetur pa punë si pasojë e pandemisë me COVID-19.
“Edhe në kushte të pandemisë siç është kjo me COVID-19, Plani Operativ i Programeve dhe Masave ka përqindje të lartë të realizimit. Këtu do të dëshiroja ta theksoj masën për subvencionimin e pagave e cila është përmbushur me 100 për qind, masa për vetëpunësim e cila gjithashtu ka realizim të lartë afro 100 për qind, më tutje projekti Garanci për të rinj përmes të cilit 21.500 të rinj kanë hyrë në Agjencinë për Punësim dhe prej tyre 6.000 kanë mundur të punësohen”, tha Shahpaska duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën për media për 100 ditë mandat.