image Qalaj: S’ka as EUROPOL e INTERPOL për Kosovën, pa avancim në dialogun me Serbinë

Kosovë

Qalaj: S’ka as EUROPOL e INTERPOL për Kosovën, pa avancim në dialogun me Serbinë

news image

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një intervistë për Ekonomia Online tha se pa avancim të dialogut në Bruksel, nuk do të ketë shans që Kosova të anëtarësohet në EUROPOL e INTERPOL, transmeton Gazeta Sinjali.

Ngase sipas tij, kjo është çështje politike e do të duhej të ishte çështje e sigurisë.

“Çështja e anëtarësimit në INTERPOL dhe EUROPOL është më shumë çështje politike. Ju po e shihni që ka disa vjet që nuk është duke u diskutuar për këtë punë”, u shpreh ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Tutje, tha që dialogu është esencial në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe EUROPOL.

“Pa një avancim të dialogut në Bruksel nuk mendoj që do të kemi ndonjë shans që Kosova të anëtarësohet më shpejt në INTEPOL dhe EUROPOL e cila është çështje politike e që do të duhej të ishte çështje e sigurisë”, tha Qalaj.

Ndërsa sa i përket çështjes së aksioneve të policisë, Qalaj tha se është mirë që arrestimet të kryhen pa bërë zhurmë, në mënyrë që organet përgjegjëse të merren me rastin.

“Çështja e aksioneve spektakulare ose jo nuk mund të them. Është mirë që arrestimet të kryhen pa bujë mirëpo të kenë fakte, të kenë dëshmi dhe normalisht që këto raste pastaj të shkojnë në organet përgjegjëse dhe të marrin dënimin ashtu siç parashihet me Kodin Penal”, u shpreh tutje ai.

Ish-drejtori Qalaj theksoi se ndikimi politik nga Ministria e Punëve të Brendshme në Polici është 100%.

“Nëse flasim për çështjet e ndikimeve politike ndaj arrestimeve nuk besoj ose nuk do të duhet të kishte. Mirëpo ndikimi politik sidomos i ministrisë në polici është 100%”, përfundoi Qalaj. /GazetaSinjali/