image Qalaj: Brenda 1 nate, mbi 100 persona shoqërohen në polici për shkelje të "orës policore"

Kosovë

Siguri/ Qalaj: Brenda 1 nate, mbi 100 persona shoqërohen në polici për shkelje të “orës policore”

news image

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tregon që pjesëtarët e policisë po hasin në shumë raste kur qytetarët po i shkelin masat e vendosur nga niveli qendror dhe lokal, rreth kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Vetëm brenda një natë, thotë se mbi 100 persona shoqërohen për në polici, që sipas tij është numër mjaft i madh për situatën në të cilën ndodhet vendi.

“Në baza ditore, fatkeqësisht Policia e Kosovës duhet të shoqërojë deri në stacionet policore, të arrestojë një numër mjaft të madh të qytetarëve, konsideroj që qytetarët edhe pse në masë të madhe respektojnë të gjitha këshillat, ndalesat, kufizimet e lirisë së lëvizjes, mirëpo ekziston prapë një numër mjaft i madh i qytetarëve, të cilët fatkeqësisht nuk po i respektojnë këto, por Policia e Kosovës duhet t’i shoqërojë ata në stacionet policore, të hapë rast penal ndaj tyre, e në disa raste edhe t’i dërgojë në mbajtje”, thotë Qalaj.

E për personat që shoqërohen në qendrat e mbajtjes, Qalaj thotë se janë mjaftë të sigurt, meqë Policia e Kosovës kujdeset të bëjë dezinfektimin e hapësirave e të qendrave të mbajtjes në mënyrë të vazhdueshme.

“Ne sikur kujdesemi për vete, për stafin policor, njëjtë bëjmë edhe dezinfektimin edhe të qendrave të mbajtës që i kemi në kuadër të stacioneve policore. Në momentin që dikush arrestohet dhe dërgohet në mbajtje pas vendimit për largimin e tij nga qendra e mbajtjes, ne menjëherë e bëjmë dezinfektimin e asaj hapësire dhe besojmë që janë mjaft të sigurt”, tha Qalaj./Gazeta Sinjali/