image PZAP dënon LDK-në me 4,500 euro

PZAP dënon LDK-në me 4,500 euro

news image

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 4,500 euro subjektin politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pas ankesave të parashtruara nga organizata joqeveritare “BIRN dhe Internews Kosova” dhe Lëvizja Vetëvendosje kundër këtij subjekti.

Në vendimin e marrë ndaj ankesës Anr.644/2021 të parashtruar nga “BIRN dhe Internews Kosova”, degës së LDK-së në Lipjan i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 2,500 euro.

Ky dënim i është shqiptuar kësaj partie për shkak të shkeljes së Kodit të mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësve të tyre dhe kandidatëve, kjo sepse sipas vendimit të PZAP-së, subjekti politik në fjalë ka ekspozuar persona nën moshën 15 vjeçare, me qëllim të përfitimit elektoral në fushatë zgjedhore dhe në thyerjen e heshtjes zgjedhore në zgjedhjet lokale 2021, të mbajtura më datë 17.10.2021.

“Detyrohet subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës me seli në Lipjan, që gjobën e shqiptuar si në pikën I të dispozitivit të këtij vendimi ta paguaj në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi, nën kërcënim të shqiptimit të dënimit shtesë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Ankesa tjetër me numër Anr.634/2021 e cila është parashtruar nga LVV ndaj LDK-së është aprovuar gjithashtu nga PZAP.

Sipas vendimit LDK-ja është dënuar me gjobë prej 800 euro për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore në rrjetet sociale për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021.

Ankesa tjetër e LVV-së e parashtruar ndaj LDK-së gjithashtu është pranuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vendimi i PZAP-së ndaj ankesës me numër Anr.625/2021 ka dënuar LDK-në me gjobë prej 1,200 euro në emër të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politik- thyerje e heshtjes zgjedhore përmes rrjeteve sociale.

LDK detyrohet të paguajë këtë gjobë në afat prej 15 ditëve.

/Gazeta Sinjali/