Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shfuqizuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili kishte lejuar votimin me dokumente identifikimi të skaduara në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Sipas PZAP-së, ankesa e paraqitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është aprovuar si e bazuar, në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.
“ANULOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Në arsyetimin e vendimit, paneli ka theksuar se pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, përgjigjes së KQZ-së dhe dokumentacionit përkatës, ka konstatuar se ankesa është e bazuar.
“Paneli, pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e kontestuar dhe shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar. Paneli ka gjetur se nga shkresat e lëndës rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 01/1198/2026, të datës 03.06.2026, ka miratuar rekomandimin për lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike”.
Sipas PZAP-së, KQZ-ja nuk ka pasur bazë ligjore për të lejuar votimin me dokumente të skaduara, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon dokumente të vlefshme identifikimi.
Paneli i referohet nenit 90, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku përcaktohet se votuesit duhet të identifikohen me dokument të vlefshëm si letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje.
Po ashtu, PZAP vlerëson se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lejon interpretime që do të trajtonin dokumentin e skaduar si të vlefshëm për votim.
“Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”.
Paneli ka trajtuar edhe argumentin e KQZ-së se gjatë regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës janë pranuar aplikime me dokumente të skaduara.
“Në përgjigjen e dhënë KQZ ka theksuar se gjatë fazës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ka lejuar që aplikues të caktuar të regjistrohen duke paraqitur dokumente të identifikimit me afat të skaduar. Mirëpo PZAP vlerëson se kjo rrethanë nuk mund të interpretohet si e drejtë për të votuar me dokument të skaduar në ditën e votimit, pasi regjistrimi dhe votimi janë dy faza të ndryshme të procesit zgjedhor”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!