Gjatë takimit në Këshillin e Atlantikut në Washington, gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci, i ka bërë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama një pyetje të vështirë.
Deri në atë moment, Rama po merrte lajka pa fund, por, Kostreci, nisur nga aksioni anti-KCK, e pyeti kryeministrin se përse kjo nisi pas më shumë se 6 vitesh në pushtet dhe përse ai, si kryeministër, ose nuk kishte reaguar, ose kishte reaguar me ngadalësi, në rastet kur ishin zbuluar persona pranë tij dhe mazhorancës të lidhur me krimin ose me korrupsionin.
Edi Rama u përgjigj pak a shumë, se tani nisi ky aksion, pasi vetëm tani janë ngritur institucionet e reja të drejtësisë si prokuroria e posaçme. Sipas tij, me drejtësinë e vjetër, do të kishte qënë e kotë të ndërmerrte të tilla aksione.
Ndërsa, sa i takon luftës ndaj korrupsionit pikërisht brenda politikës, Rama tha se është drejtësia që duhet ta bëjë këtë.