image Putini shpall gjendje të jashtëzakonshme pas derdhjes masive të naftës në Arktik

Botë

Putini shpall gjendje të jashtëzakonshme pas derdhjes masive të naftës në Arktik

news image

Presidenti rus Vladimir Putin e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin arktik të Norilskit. Shkak është bërë rrjedhja nga një cisternë e 20 mijë tonëve karburant dhe lubrifikues në rrugët, fabrikën metalurgjike dhe lumin kryesor të qytetit.

Incidenti mësohet se ndodhi më 29 maj në një stacion të prodhimit të energjisë elektrike, por në Kremlin informacionet mbërritën disa ditë më vonë vetëm pas indinjatës popullore në rrjetet sociale.

Kreu i shtetit, Putin, gjatë një konference virtuale me guvernatorin e rajonit dhe drejtuesin e kompanisë energjetike, u tregua i ashpër me reagimin e tyre dhe paralajmëroi hetimin e personave përgjegjës.

“Çfarë mendoni se ndodhi që zyrtarët u desh ta mësonin ngjarjen vetëm dy ditë më pas? A mos duhet t’i mësojmë situatat e emergjencës nga rrjetet sociale tani? A jeni mirë me shëndet ju andej?”.

Organi mbikëqyrës i ambientit tha se 15 mijë tonë produkte nafte janë derdhur në rrjetin lumor dhe 6 mijë tonë kanë depërtuar në nëntokë.

Sipas agjencisë së peshkimit, dëmet në lumenj do duan disa dekada për të marrë zgjidhje.

Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria dhe kompania ruse e energjetikës po mobilizojnë forcat për pastrimin dhe izolimin fizik të zonës për të mos përhapur sipërfaqen e ndotur.

Qyteti i Norilskit në Siberi konsiderohet një nga qendrat me ndotjen më të lartë por edhe shtëpia e prodhuesit më të madh të metalit nikel në botë. /Gazeta Sinjali/