image Pushteti i vërsulet Bankës Qendrore

Politikë

Pushteti i vërsulet Bankës Qendrore

news image

Përreth tri orë drejtuesit e Bankës Qendrore kanë raportuar në komisionin për Financa të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit me tendencë kanë marrë në pyetje Guvernatorin dhe vartësit e tij.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, ka thënë se ekonomia e Kosovës pritet të rritet në 9.9 për qind gjatë vitit 2021. Sipas tij, pandemia ka bërë që të ketë rënie ekonomike dhe të rritet borxhi publik.

“Që në ditët e para të masave kufizuese BQK është koordinuar me gjitha institucionet financiare për të siguruar marrjen e masave adekuate karshi nevojave të ekonomisë. Vështirësitë ekonomike u reflektuan edhe në sektorin fiskal. Borxhi publik ka arrit në 1.5 miliardë euro”, tha ai.

Tutje ai foli edhe për moratoriumin për shtyrje të pagesave të kredisë për personat dhe bizneset e prekur nga pandemia.

“Kemi marrë moratorium për shtyrje të kredive nga kredi marrësit të cilët janë goditur nga pandemia. 370 milionë euro është shuma e kredive të rikontrukturuara”, tha ai.

Këtë raport të guvernatorit, anëtari i këtij komisioni nga radhët e LVV-së, Eman Rrahmani, e quajti të gjeneralizuar dhe pa ndonjë llogaridhënie konkrete. Rrahmani foli edhe për vendimet e BQK-së për revokim të licencave të disa kompanive të sigurimit, ku tha se kjo gjë është bërë me vonesë.

“Është ngrit si çështje puna ime si z.guvernator, unë raportoj para jush dhe e kam për detyrë. Një gjë e kam të sigurt se kur është në pyetje zbatueshmëria e ligjit, ka zero tolerancë. Është e vërtetë se i kemi tërhequr licencën një kompanie”.

“Të gjitha procedurat i zbatojmë me rregull, në mënyrë që nesër mos të humbim rastin në gjykatë. Qëllimi ka qenë mos të bëjmë shkelje të procedurave. Edhe një kompanie tjetër është në listë por që i kemi dhënë afat deri në fund të vitit që ta përmbush shumë e nevojshme”.

Sipas Rrahmanit për fajin e Mehmetit shumë qytetarë paguajnë 26 për qind më shumë pagesën e sigurimeve.

“Ngritja e primit për 26 për qind, nuk e di nëse e shihni si sukses dhe besoj se qëllimisht i keni dërguar në falimentim këto kompani. Përmes raportit vjetor keni informuar se kompanitë kanë punuar kundër ligjit për sigurime. Kjo mbikëqyrje e dobët në kompanitë e sigurimit. Për fajin tuaj, qytetarët paguajnë 26 për qind më shumë pagesën e sigurimeve”.

“Kur thatë se për fajin tim kanë falimentuar kompanitë, kjo nuk është e vërtetë. Ju po bini në kundërshtim me vetën tuaj, fillimisht thoni se për fajin tim kanë ndodhur këto, e më pastaj thoni se përse e keni lejuar këtë çështje”.

E Visar Korenica, pyeti se a kanë shqiptuar ndonjë gjobë ndaj anëtarëve të byrosë, pas shkeljeve. “Mbi çfarë baze e keni lejuar ish-drejtorin e Byrosë, Gani Thaçi për marrjen e pensionit dhe benefiteve tjera. Në BKS, janë larguar nga puna punëtorë e janë punësuar djem të politikanëve”, tha ai.

“Në lidhje me revokimin e Jute Credit. Ekzistojnë dyshime se guvernatori Mehmeti dhe zëvendësi i tij, Havolli kanë marrë mito nga Jute Kredit, dhe pas ndaljes së tyre, me vendim të tyre është marrë vendimi”, tha Korenica.

E gjitha këto i ka quajtur shpifje zëvendësguvernatori, Sokol Havolli. “Këto shpifje nuk mund të tolerohen. Këto janë shpifje dhe nuk mund t’i tolerojë këso shpifje ndaj guvernatorit dhe zëvendësguvernatorit”, tha Havolli.

Guvernatori Mehmeti tha se nëse kanë fakte është mirë të dërgohen në prokurori.

“Nëse t’i lirohesh nga imuniteti i deputetit atëherë, nëse ki fakte se guvernatori ka marrë mito nga Jute Credit atëherë ke bërë vepër penale. Nuk mund të thuash se ke marrë mjete e pastaj ju ke revokuar licencën. Në rastin e Monegos, na ka dhënë të drejtë Gjykata Kushtetuese, dhe besoj se edhe në rastin e Jute Credit, në Arbitrazh do ta fitojmë rastin”, tha Guvernatori Mehmeti.

Drejtuesit e Bankës Qendrore pas raportimit tre orësh, ka mbetur që të shkojnë edhe një herë në Komision.

/Gazeta Sinjali/