image Punëtorët shëndetësorë nga java tjetër hyjnë në grevë, kjo është arsyeja

Shëndetësi

Punëtorët shëndetësorë nga java tjetër hyjnë në grevë, kjo është arsyeja

news image

Për shkak të mosdhënies së pagave shtesë nga 300 euro për punëtorët shëndetësorë, teknik dhe vozitës, nga java e ardhshme nisin grevat për bojkotimin e punës.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi i cili thotë se punëtorët teknik, vozitësit, si dhe sigurimi nëpër spitalet e Kosovës po ballafaqohen direkt me pacientët që janë apo mund të jenë të prekur me COVID-19 dhe sipas tij, ata duhet trajtuar njëjtë me mjekët dhe infermierët kur bëhet fjalë për pagesën shtesë prej 300 eurove.

Ai thotë se kërkesat e tyre janë të arsyeshme dhe shpreson se do të jenë të realizueshme.

“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të hyrë në grevë, tani kemi një presion nga punëtorët teknik që punojnë në qendrat e mjekësisë familjare dhe në qendrat klinike universitare. Definitivisht që të gjithë janë pro grevës, edhe pse në SShKUK ka ende një hezitim për t’iu bashkëngjitur grevës, shpresojmë se do të koordinohemi edhe me ata dhe javën tjetër do të fillojmë me një grevë tërë ditore. Ka pasur afat të mjaftueshme Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi bërë me dije se do të ndalim shërbimet tona dhe këto shërbime nga java tjetër do të ndërpriten”, tha Azemi për KP.

Tutje, Azemi ka treguar se vetëm rastet emergjente do të trajtohen, ndërsa të gjitha shërbimet tjera do të ndërpriten.

“Që nga mëngjesi deri pasdite nuk do të punohet farë. Do të punohet vetëm me rastet emergjente, ndërsa të gjitha shërbimet tjera do të ndërpriten dhe përgjegjësinë do ta mbajnë ata që kanë për obligim. Të jemi të barabartë me të gjithë punëtorët, mjekë, specializant në kushte të barabarta”, thotë ai.

Kujtojmë që protesta me këto kërkesa janë mbajtur edhe në QKMF në Podujevë, SSHKUK, Ferizaj e në komuna të tjera.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Azemi shpreh edhe një problem tjetër për fatin e punëtorëve në sektorin privat.

Azemi ka thënë se deri në fund të këtij viti pritet të mbyllen deri 100.000 vende të punës në sektorin privat për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Në bazë të statistikave të cilat po shënojnë, deri në Vitin e Ri do të mbërri mbi 100 mijë punëtorë të larguar nga puna. Prej tyre punëtorë me kontrata dhe pa të. Një institucion për shifra të sakta jemi ne, sepse në momentin e parë punëtorët e larguar nga puna adresën e parë e kanë sindikatën. Diku 30% e gjithë punëtorëve në sektorin privat do ta humbin vendin e punës. Fatkeqësisht pandemia ka prekë edhe vendet më të zhvilluara… Ka pasur mjete buxhetore, por nuk ka pasur vullnet nga parlamentarët dhe qeveritarët që të jenë më afër në momentet e caktuara tek bizneset”, thekson Azemi.

Gjithashtu, edhe komuniteti i biznesit ka paraparë të mbyllen mbi 70 mijë vende të punës për shkak të mos mbështetjes së sektorit privat nga Qeveria e Kosovës. /Gazeta Sinjali/