Edhe Agjencia Kundër Korrupsionit ka reaguar në lidhje me punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke bërë të ditur se ka nisur hetimet për dyshimet e mundshme të konflikt interesit.
Për aspektet e tjera hetimore, AKK ka pezulluar hetimin, pasi rasti po hetohet nga Prokuroria përkatëse.
Përmes një postimi në Facebook AKK deklaron se “Zhvillimi i procedurave hetimore administrative në AKK mund të iniciohen edhe sipas detyrës zyrtare, kërkesave dhe denoncimeve nga palët me interes, pra edhe në rastet kur AKK informohet nga mediat“.
“Zhvillimi i procedurave hetimore administrative pushojnë në rastet kur për temën e njëjtë zhvillohen hetime penale, nga Policia e Kosovës apo Prokuroria. AKK është institucion kompetent për trajtimin e rasteve të pretenduara për konflikt te interesit sipas ligjin nr. 06/L-011”.
“Me datë 05 prill 2022, Prokuroria themelore të Prishtinës, përmes njoftimit publik ka konfirmuar që kjo prokurori ka iniciuar hetime për të njëjtin rast. Rrjedhimisht, AKK nuk mund të ndërmarr procedura hetimore administrative që për njëjtin rast janë iniciuar hetime nga Prokuroria. Ndërsa, në lidhje me pretendimet për konflikt të mundshëm te interesit në këtë proces, AKK ka filluar mbledhjen dhe trajtimin e informatave relevante duke përfshirë edhe kontaktin me autoritetin përgjegjës për parandalim te interesit në kuadër te KEK-ut. Procedura për shqyrtimin e konfliktit te interesit është konfidenciale”, thuhet në njoftimin e AKK-së.