image Publikohet raporti lidhur me shqetësimet e të prekurve me HIV në Kosovë gjatë pandemisë

Kosovë

Publikohet raporti lidhur me shqetësimet e të prekurve me HIV në Kosovë gjatë pandemisë

news image

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me rekomandime në lidhje me qasjen në shërbime të kujdesit shëndetësor të personave të prekur me virusin e Imunodeficiencës Humane (HIV) dhe me Tuberkuloz (TB), gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky raport është iniciuar sipas detyrës zyrtare nga Avokati i Popullit, me përkrahjen e Fondit për Zhvillim Komunitar (CDF), duke pasur parasysh rolin e Institucionit të Avokatit të Popullit në mbikëqyrjen e përmbushjes së detyrimeve të shtetit përkitazi me respektimin e të drejtave të garantuara, në mënyrë të veçantë në rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe me fokus në personat a në grupet më lehtë të cenueshme.

“Hetimet e zhvilluara për këtë Raport po ashtu kanë marrë për bazë diskutimet  e bëra në takimin e Grupit Avokues  të Programit për Parandalimin e HIV-it, takimet konsultuese me organizatat të cilat punojnë në fushën e të drejtave të personave që jetojnë me HIV dhe TB në Kosovë dhe domosdoshmërinë e qasjes së tyre në shërbime shëndetësore edhe në kohë pandemie, raportin e Avokatit të Popullit në lidhje me trajtimin e personave me HIV dhe AIDS në Kosovë, si dhe të gjeturat nga hetimet e zhvilluara ex-officio lidhur me këtë Raport”, thuhet në njoftim.

Qëllimi kryesor i këtij raporti, thuhet në komunikatë, ishte vlerësimi  i ofrimit të  shërbimeve të kujdesit shëndetësor, me qasje të bazuar në të drejtat e njeriut dhe pa diskriminim, për personat me HIV/AIDS dhe TB në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Raporti konstaton shkelje sa i përket përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore kundrejt personave të infektuar me HIV dhe TB.

“Sa i përket personave të prekur me HIV, raporti ngre shqetësime lidhur me mosfunksionimin e Qendrës për Këshillim dhe Testim Vullnetar në Klinikën Infektive që prej muajit mars 2020, moskryerjen e analizave dhe komunikimin e rezultateve në formë të shkruar për analizat e ngarkesës virale dhe CD4, si dhe lidhur me moskontaktimin ndërmjet Klinikës Infektive dhe pacientëve me HIV dhe AIDS gjatë pandemisë”, thuhet tutje.

Ndërsa tek çështjet që ndërlidhen me personat e prekur nga tuberkulozi, raporti vë në dukje mungesën e nyjeve sanitare të veçanta në klinika/spitale pulmologjike, mungesën e pulmologëve të mjaftueshëm në Klinikën Pulmologjike dhe disa spitale të përgjithshme, mosgjurmimin e rasteve në terren e poashtu mungesën e përdorimit të teknologjive digjitale të shëndetit për të mbështetur trajtimin e pacientëve,  në përputhje me rekomandimet e OBSh-së.

Mbrojtja e të drejtave dhe e lirive themelore të njeriut është thelbësore dhe shumë e rëndësishme për një përgjigje efektive në parandalimin dhe trajtimin e HIV-it dhe tuberkulozit në Kosovë. Përkundër faktit se Kosova ka bërë shumë përparime në reagimin ndaj tyre, ka ende aspekte që kërkojnë vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse, përkitazi me të drejtat e personave të prekur me HIV dhe TB, prandaj Avokati i Popullit, bazuar në analizën dhe hetimin e rastit, i ka drejtuar autoriteteve përgjegjëse Raportin me rekomandimet përkatëse, që mëton të ndikoj në përmirësimin e gjendjes sa i përket kësaj çështje”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

/GazetaSinjali/