image Publikohen rezultatet e provimit të maturës

Kosovë

Publikohen rezultatet e provimit të maturës

news image

Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM), në bashkëpunim me Divizionin për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim (DVSM) kanë bërë publike sot rezultatet e provimit të maturës shtetërore 2020 (afati i dytë), ku sipas këtyre rezultateve kalueshmëria është 64.4 për qind.

8.300 nxënës e kanë paraqitur provimin në afatin e dytë, ndërsa në test kanë marrë pjesë 7.502 nxënës, nga të cilët 4.835 e kanë kaluar testin.

Kryetari i KSHM-së, Gëzim Berisha, e ka vlerësuar të suksesshëm administrimin e testit, i cili këtë vit është organizuar në rrethana pandemie, për të cilën gjë i falënderon të gjithë ata të cilët kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij procesi.

Berisha, gjithashtu ka bërë me dije se, kësaj here 18 nxënës e kanë privuar veten për të vazhduar testimin për shkak të përdorimit të telefonave mobilë, të cilët edhe janë larguar nga testi.

Gjithashtu, kryetari i KSHM-së, Gëzim Berisha ka njoftuar se, nga 19 deri më 21 tetor, pra tri ditë, do të jetë afati i ankesave për afatin e dytë të testimit, rezultatet e të cilave pas shqyrtimit nga Komisioni i ankesave dhe përpunimit të këtyre të dhënave, do të publikohen, më 23 tetor 2020.

Afati i dytë i provimit të maturës është organizuar në 84 qendra të testimit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa është administruar nga 950 administrues dhe 75 mbikëqyrës./Gazeta Sinjali/