C.H, 43 vjeçar nga qyteti i Mitrovicës është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi janë publikuar pamje teksa i ka dhënë në duar armën pa leje, vajzës së tij të mitur për të shtënë me të në ajër.
Në pamjet e siguruara nga Insajderi, mitrovicasi dëgjohet duke i thënë vajzës së tij “futja babë, futja”, teksa ajo shtie plotë 6 herë me armë.
Zëdhënësi i Policisë së rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti ka konfirmuar se kanë arritur ta identifikojnë 43 vjeçarin dhe më pas i njëjti është arrestuar.
“Urdhërkontrolli është realizuar mbi dyshimet e arsyeshme të bazuara, se i dyshuari C. H. 43 vjeçar, dyshohej për posedim të armës, pasi në rrjetet sociale ishte postuar një video sekuencë ku në prezencë të tije një fëmijë shkrepte një armë zjarri”, ka thënë Zahiti.
Është bërë e ditur se gjatë kontrollit Policia tek i dyshuari ka gjetur dhe ka sekuestruar një armë, e llojit pistoletë , e cila dyshohet te jetë përdorur në video sekuencat e postuara.
“I dyshuari pas procedurave intervistuese është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tije është iniciuar procedurë për vepër penale “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës”, ka konfirmuar Zahiti.