image Pse u rihapën shkollat në Kosovë, kur numri i rasteve me koronavirus është rritur

Kosovë

Pse u rihapën shkollat në Kosovë, kur numri i rasteve me koronavirus është rritur

news image

Mbi 50 mijë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme i janë kthyer shkollës për disa ditë për t’u përgatitur për mbajtjen testit të arritshmërisë dhe atij të maturës.

Kjo është bërë përkundër se numri i të infektuarve me koronavirus ka shënuar rritje ditëve të fundit.

Përfaqësues të shkollave dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë thënë për REL e tashmë kanë marrë të gjitha masat që nxënësit mos të mos sëmuren me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë nxënësit janë të pajisur me doreza dhe maska të tejdukshme që mbrojnë të gjithë fytyrën. Në hyrje të shkollës tashmë është vendosur edhe tuneli dezinfektues.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi, tha se në këtë shkollë po mbajnë mësim nga dita e hënë (8 qershor), 130 nxënës të klasave të nënta, e që do të zgjasë dy javë.

“Ne i kemi pesëparalele të klasave të nënta në shkollën tonë dhe janë të ndarë në grupe, nga 13 nxënës. Nxënësit janë të shpërndarë në dhjetë dhoma të mësimit. Gjithashtu janë të ndara edhe në ditë. Gjithsej janë 130 nxënës, por sot kanë qenë vetëm 65 nxënës. Pra, mësim efektiv mbajnë vetëm 5 ditë”, tha ajo.

Sipas Oruqit, fëmijët janë ndarë në dy grupe ku nxënësit pesë ditë do të jenë në bankat e shkollës, derisa pesë ditë tjera ata mësimin do ta zhvillojnë online.

Aplikacioni më i përdorshëm për mësim nga distanca mbetet ‘Zoom’, ku më shumë se dy persona mund të komunikojnë përmes audios dhe videos. Ky aplikacion është duke u përdorur në shumë vende të botës për mësime në distancë.

Edhe në këtë shkollë fëmijët janë ndarë në grupe të vogla në çdo klasë në mënyrë që të ruhet distanca fizike.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se mësimi nuk ka nisur në Komunën e Malishevës dhe atë të Junikut, pasi është thënë se atje nuk janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Autoritetet kanë thënë se mësimi në këto dy komuna do të fillojë gjatë kësaj jave.

Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha shkollat në muajin mars kur u paraqiten rastet e para me koronavirusin e ri./Gazeta Sinjali/