image Pse Thaçi u ftua për intervistim nga Specialja pasi u dërgua aktakuza kundër tij?

Drejtësi

Pse Thaçi u ftua për intervistim nga Specialja pasi u dërgua aktakuza kundër tij?

news image

Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kundër presidentit Hashim Thaçi kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë prokurorin e specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë prokurorit të specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje, shkruan REL.

Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Moskonfirmimi i një aktakuze nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.

Personi, kundër të cilit është konfirmuar aktakuza, në bazë të urdhrit gjyqësor, dërgohet në arrest, nëse nuk është i ndaluar. Ai menjëherë njoftohet për akuzat ndaj tij dhe sillet para Dhomave të Specializuara.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për mos zbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës. /Gazeta Sinjali