image Pse s’u arrit marrëveshja për targat dje në Bruksel?

Politikë

Pse s’u arrit marrëveshja për targat dje në Bruksel?

news image

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve, që u mbajt të premten në Bruksel nuk solli marrëveshje lidhur me targat e veturave.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak përmes një postimi në Twitter tha se “puna do të vazhdojë”.

“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në dosjet e tjera duke përfshirë energjinë”, shkroi Lajçak.

Delegacionin e Kosovës e udhëheq, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Të dy këta kryenegociatorë mbajtën takime me Lajçakun por nuk pati takim të përbashkët mes tyre.

Diskutimet e djeshme kanë vazhduar për temat që janë diskutuar tri javë më parë, duke përfshirë çështjen e targave të makinave.

Besnik Bislimi, kryenegocatior nga Kosova e ka quajtur udhëtimin në Bruksel të kotë, pasi tha se pala serbe nuk ka prezantuar një propozim në lidhje me çështjen e targave që sipas tij e kishin paralajmëruar.

“Pritjet kanë qenë shumë të mëdha meqë takimi ka ndodhur me kërkesë të palës serbe. Fatkeqësisht sot e pamë një sjellje shumë të çuditshme të palës serbe që thotë se kemi një ide por nuk mund ta shpalosim”, tha Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petkoviq në një deklaratë për media tha se gjatë ditës është biseduar për marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila ende nuk është implementuar.

Ai gjithashtu tha se kanë biseduar për targat si dhe për të pagjeturit, por e akuzoi Prishtinën se nuk është konstruktive në biseda.

“Ne disa tema ka hapësirë për t’u marrë vesh, por nevojitet edhe pajtimi i anës tjeter. As sot nuk erdhi deri te takimi direkt me z. Bislimi sepse ai refuzoi të flasim për Asociacionin dhe për të pagjeturit”, tha Petkoviq.

Palët nuk kanë arritur pajtueshmëri për një zgjidhje afatgjate për këtë temë, edhe pse ka skaduar mandati prej gjashtë muajsh për grupet punuese që të arrijnë një marrëveshje.

Pas takimit të fundit, BE-ja pati dalë me një deklaratë që derisa të mos ketë marrëveshje të reja, regjimi me letra ngjitëse do të vazhdojë të zbatohet.

Sipas zyrtarëve të BE-së mandati prej gjashtë muajsh ka qenë për grupet punuese e jo për të arritur zgjidhjen finale.

Tani kjo çështje do të diskutohet në nivel të kryenegociatorëve.

Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat, e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar, parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

Kjo marrëveshje ka dalë pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti.

Përveç çështjes së targave, në takime pritet të diskutohet edhe për çështjen e të pagjeturave dhe atë të energjisë. Për të dyja këto çështje në BE thonë se janë “shumë afër zgjidhjes” por duhet bërë edhe “hapin final”.

BE dhe bashkësia ndërkombëtare kanë përsëritur se presin nga të dyja palët që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm, i cili do të mund të rrezikonte sigurinë në terren dhe do të komplikonte edhe më shumë përparimin në dialog.

Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, i përballur me mungesë të suksesit në këtë proces, po tenton që të arrihet ndonjë marrëveshje së shpejti në mënyrë që të hapet rruga edhe për një takim në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të dy liderët nuk janë takuar – në kuadër të dialogut – prej verës së vitit të kaluar.

Ditë më parë Kurti dhe Vuçiq janë takuar në një darkë joformale në Berlin.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë më parë se nuk do t’i ftojë liderët në takime të nivelit të lartë, derisa të mos ketë sinjale të qarta se në takim të tillë do të arrihet përparim konkret.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren./REL

/GazetaSinjali/