Ndërsa Gjermania dhe Danimarka kanë ofruar mbështetjen e tyre për sulmet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër rebelëve jemenas të Houthive, Evropa duket e ndarë në lidhje me sulmet, ku Italia, Spanja dhe Franca janë distancuar nga aksionet e amerikanëve dhe britanikëve.
Të tre vendet nuk u nënshkruan në një deklaratë të dhënë nga 10 të tjerë që justifikonin sulmin – duke nënkuptuar ndarjen perëndimore mbi mënyrën se si të trajtohej grupi rebel jemenas, raporton skynews.
Sipas një burimi pranë kryeministres, Giorgia Meloni, Italia nuk iu kërkua të merrte pjesë në sulmet brenda natës pasi ajo refuzoi të nënshkruante deklaratën.
Megjithatë, një burim tjetër qeveritar tha se Italisë në fakt i ishte kërkuar të bashkohej me operacionin, por nuk pranoi sepse miratimi parlamentar do të kishte vonuar goditjet dhe sepse Roma donte një politikë “qetësuese” në Detin e Kuq.
Një zyrtar francez tha se Parisi kishte frikë nga humbja e levave në bisedimet për të qetësuar tensionet midis grupit libanez Hezbollah dhe Izraelit.
Ndërkohë, ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles tha se Madridi nuk i ishte bashkuar aksionit ushtarak sepse dëshironte të promovonte paqen në rajon.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Britania e Madhe ka nisur sulmet ajrore ndaj rebelëve jemenas, Houthive, pasi këta të fundit kishin grabitur anije ndërkombëtare që bartnin mallra dhe karburante.