Profesoresha universitare, Remzie Shahini – Hoxhaj, i është përgjigjur pyetjes së tenistit serb, Novan Gjokoviq, të cilën, sipas gazetarit izraelit, Itai Anghel, sportisti e ka bërë kur ishte 12 vjeç, raporton Gazeta Sinjali.
“Kush janë këta njerëz që po e bombardojnë vendin tim”, citohet të ketë pyetur tenisti serb, kur NATO nisi fushatën e bombardimeve ndaj Serbisë, në mars të vitit 1999.
Profesoresha i ka treguar gazetarit izraelit se arsyeja se pse Serbia u bombardua në vitin 1999, ishte për shkak të gjenocidit që kjo e fundit kreu mbi popullsinë shqiptare të Kosovës.
Madje, Shahini – Hoxhaj ia ka përmendur gazetarit izraelit edhe rastin e Leutrim Ahmetit, të cilit në moshën 7-vjeçare, forcat serbe ia shqyen barkun, duke ia nxjerrë zorrët jashtë.
Ajo tha se kjo është vetëm një sekuencë e asaj se çfarë kanë përjetuar shqiptarët gjatë asaj periudhe të regjimit të Millosheviqit, krime për të cilat, thotë ajo, është i vetëdijshëm edhe Novan Gjokoviq.
“Arsyeja pse Serbia u bombardua në ‘99 është për shkak të gjenocidit të saj mbi popullsinë etnike-shqiptare të Kosovës. Unë mendoj se një përgjigje në pyetjen e Novan Gjokoviq (“Kush janë këta njerëz që po bombardojnë vendin tim”) do të ishte historia e një djali 7-vjeçar të quajtur Leutrim Ahmeti, i cili 23 vjet më parë u vra nga forcat serbe. Kjo është ajo që mamaja e tij duhej të thoshte: “Leutrimi më thirri: ‘Nanë, kam diçka në stomak, po më dhemb dhe po ndjehem i sëmurë’. Kur i hoqa rrobat, pashë që barku ishte hapur dhe zorrët i kishin dalë jashtë. Kur u përpoqa t’ia vesh xhemperin, ai më tha ‘Ndalo, nënë, mos më prek, sepse dhemb shumë’. Kjo është vetëm një sekuencë e asaj që kanë kaluar shqiptarët gjatë kësaj periudhe. P.S: Unë besoj se, Novan është gjithashtu i vetëdijshëm për këtë”, shkroi ajo në postimin e gazetarit izraelit./Gazeta Sinjali/