Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik, i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me rrezik të lartë.
Çdo njeri mund të sëmuret shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë me imunitet të lartë. Nëse ju sëmureni me grip ju mund t’ia transmetoni edhe të tjerëve edhe pse ju mund të mos ndiheni të sëmurë. Ndërkohë që duke u vaksinuar ju ndihmoni të mbroni vetveten dhe njerëzit rreth jush.
Përmbajtja e vaksinës ndaj gripit
Sipas specialistëve të shëndetit, vaksina ndaj gripit përmban pjesë inaktive (virus të copëzuar jo të gjallë) të viruseve që mendohet se do qarkullojnë gjatë sezonit të gripit. Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit.
Kur duhet të vaksinohemi?
Vaksinimi kryhet në çdo kohë, gjatë periudhës që viruset e gripit qarkullojnë. Vaksina ndaj gripit duhet të kryhet çdo vit, kryesisht me fillimin e stinës së vjeshtës, e deri në muajin mars.
Pse duhet të vaksinohemi çdo vit ndaj gripit?
Vaksinimi i përvitshëm ndaj gripit është i rëndësishëm pasi viruset e gripit janë të paparashikueshëm. Viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe imuniteti i përftuar nga vaksina e kryer më parë, bie me kalimin e kohës./Gazeta Sinjali/