Partia Socialdemokrate ditë më parë ju ka dërguar ftesë për takim partive opozitare, përfaqësuesve civil, përfaqësuesve të sindikatave, për të diskutuar në lidhje me kundërshtimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se takime do të ketë dhe komunikimin me partitë e tjera nuk e kanë ndërprerë asnjëherë.
“Ne takime kemi pasur edhe para proteste, takime do ketë, ne komunikimin me partitë tjera nuk e kemi ndërpre asnjëherë, pse jo takime do ketë”, ka thënë Haziri.
Kurse, në këtë takim pritet të marrë pjesë AAK-ja, e cila do të përfaqësohet nga nënkryetari i tyre.
“AAK do të përfaqësohet nga nënkryetari në takimin e thirrur nga PSD, të premten, për të diskutuar rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike”, ka thënë Lulëzim Blaka.
Partia tjetër që pritet të marrë pjesë në këtë takim është Nisma Socialdemokrate.
Ky takim pritet që të fillojë në orën 13:00.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) miratoi më 8 shkurt faturat e reja me rritje – vetëm për një kategori të konsumatorëve – të cilat hynë në fuqi një ditë më vonë.
Mbi 5 euro e lart do të jetë diferenca e faturës së rrymës që do të paguajnë ata qytetarë të Kosovës, që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj.
Nga vendimi i ZRRE-së për rritje preken vetëm ata konsumatorë familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj; ata që shpenzojnë nën këtë sasi, nuk do të vërejnë ndryshime në faturë.