image PSD: Ligji për KPK-në të shkojë në Kushtetuese, pushteti synon kontroll

Politikë

PSD: Ligji për KPK-në të shkojë në Kushtetuese, pushteti synon kontroll

news image

Partia Socialdemokrate, nëpërmjet një komunikatë për media, ka thënë se ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ky subjekt thonë se ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë janë përcjellur me diskurs anti-korrupsion, duke shtuar se ndjeshmëria qytetare është e lartë dhe nevoja për reformë e konsiderueshme.

Por, emëruesi i përbashkët i këtyre ndryshimeve është vendosja e kontrollit politik mbi mekanizmat e sistemit. Tri ligje janë në proces të plotësim-ndryshimit, secili prej tyre kanë marrë vërejtje serioze nga Komisioni i Venecias, ndërkohë që Qeveria gënjente mbi dritën e gjelbër që paska marrë për “reformat”“, thuhet në komunikatë.

PSD vlerëson se konflikti kryesor rreth ligjit për KPK-në është përbërja e këshillit dhe raporti mes anëtarëve prokurorë dhe jo prokurorë, ndërsa thonë se qysh në draftin e parë të projektligjit është vërejtur qëllimi i pushtetit për kontroll.

Konflikti kryesor rreth Ligjit për KPK-në është përbërja e Këshillit dhe raporti midis anëtarëve prokurorë dhe jo prokurorë. Qysh në draftin e parë të projektligjit është vërejtur qëllimi i pushtetit për kontroll duke parashikuar një Këshill me shumicë të deleguar nga politika. Pas vërejtjeve të Venecias, ndryshon strategjia. Tash të dërguarit politik janë pakicë, por me të drejtë vetoje”, vijon tutje komunikata

Sipas kësaj partie, amandamenti 9 i dorëzuar në lexim të dytë, e vulos ndikimin e anëtarëve jo-prokurorë kundrejt atyre që vijnë nga sistemi prokurorial.

Me verzionin aktual, vendimmarrja mbi çështje të rëndësishme të këtij Këshilli (votimi për Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorët e Prokurorive dhe çështjet disiplinore) do jetë e kushtëzuar nga vullneti politik, përkatësisht nga vota e anëtarëve jo-prokurorë të këtij organi“, thuhet në komunikatë.

Në fund, PSD thotë se Avokati i Popullit është institucioni që mund t’i drejtohet Kushtetueses, por asnjë nga institucionet nuk i drejtohet asaj.

/GazetaSinjali/