image PSD-ja lëshon fenerë në ajër para Qeverisë: Premtimet e Kurtit për dialogun i mori era

Politikë

PSD-ja lëshon fenerë në ajër para Qeverisë: Premtimet e Kurtit për dialogun i mori era

news image

Partia Socialdemokrate gjatë ditës së sotme ka organizuar një aktivitet, duke lëshuar fenerë të cilat kanë qenë të mbishkruara me premtimet e kryeministrit Albin Kurti për çështje e dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Fenerët u lanë të lirë në ajër para Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ngjashëm era i mori premtimet e të parit të ekzekutivit.

Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka thënë se kjo qeveri nuk ka asnjë diferencë me pushtetet e kaluara.

Sipas saj, i vetmi ndryshim që po vërehet këto kohë është gjuha e tyre, terminologji kjo që tenton të fshehë gjithmonë diçka.

E kemi dëgjuar tash së fundmi deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi i cili thotë se janë pajtuar me të gjitha marrëveshjet përveç targave KS. Praktikisht është pranuar procesi, janë pranuar kornizat dhe brenda këtij diskutimi nuk ka ndonjë diferencë nga ajo çfarë deri më tani kanë bërë pushtetet e kaluara”, është shprehur ajo.

Tutje Rrusta ka thënë se kjo Qeveri përkundër se ka dhënë kritika sa ishte në opozitë për mungesë transparence në dialog nga qeveritë e kaluara, as kjo nuk qëndron më mirë në këtë aspekt.

Kjo kritika që nuk është dialogu transparent nga opozita e kaluar, tash në pushtet çka po shohim është që këta janë edhe më keq në këtë pikë. Praktikisht ne i kemi vetëm disa intervista shumë të rralla dhe mirë të kontrolluara për të parë se çka del prej diskutimeve të Qeverisë për dialogun”, përmendi ajo.

“Për të bërë marrëveshje me Serbinë e cila e mbyllë ketë çështje, për të qenë kreativ në këtë çështje duhet me qenë edhe i guximshëm, e Kurti çka ka të përbashkët nga liderët autoritarë është mungesa e guximit, ata janë frikacakë”, theksoi Rrusta.

PSD ka radhitur një varg parimesh që Kurti i ka vendosur më herët për procesin e dialogut, prej reciprocitetit, kërkimfaljes, riparimin e dëmeve të luftës, e një varg temash të cilat tashmë, sipas tyre, ai nuk i ka fare parime.

“Ne duam të themi përmes këtij aktiviteti me fenerë që premtimet e Kurtit i ka marrë era”, ceku ajo. /Gazeta Sinjali/