Pas dështimit me tentativën e parë, duket se socialistët do të nisin një betejë të dytë për shkarkimin e Ilir Metës nga pozita e presidentit.
Procedura mund të fillojë javën e ardhshme, ndërsa u paralajmërua në rrjetet sociale nga Taulant Balla.
Por Presidenti reagoi, duke theksuar se është gati të firmosë Dekretin për mbrojtjen e Republikës.
Partia Socialiste, e cila fitoi një mandat të tretë për të qeverisur vendin, do të nisë një betejë të dytë për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit.
Burimet i thanë Rtv Ora, se procedura do të nisë nga e hëna e ardhshme, e kjo u la të kuptohet edhe publikisht nga sekretari i Përgjithshëm i socialistëve Taulant Balla.
“Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!”
Ilir Meta, pasi njoftoi se do të qëndrojë në Presidencë deri në 24 korrik të vitit 2022 e nga ajo ditë do të rikthehet në krye të LSI-së, përdori zëdhënësin Tedi Blushi, për ti kthyer një përgjigje edhe Taulant Ballës.
“Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e Shqiptarëve! Vdekje tradhëtarëve!”./Gazeta Sinjali/