image Prostitucion në ‘qendrat e masazhit’, aksionet e policisë rezultuan me rreth 300 të arrestuar për këtë veprimtari

Kosovë

Siguri/ Prostitucion në ‘qendrat e masazhit’, aksionet e policisë rezultuan me rreth 300 të arrestuar për këtë veprimtari

news image

Ushtrimi i prostitucionit në Kosovë thuajse dita ditës po lëshon rrënjë dhe po zgjerohet. Kjo dukuri në Kosovë është ushtruar sidomos në ‘qendrat e masazheve’ ku jo rrallë herë policia ka zhvilluar aksione duke i mbyllur ato dhe arrestuar persona të cilët kanë ushtruar këtë veprimtari ilegale.

Nëse i referohemi statistikave nga Policia e Kosovës rezulton se brenda viteve 2017, 2018 dhe 2019 janë arrestuar 263 persona për ushtrim të prostitucionit, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndërsa raste ku janë detyruar të bëjnë prostitucion, veprim ky i cili është në kundërshtim me ligjin gjatë këtyre tri viteve  janë evidentuar 74 raste e janë ngritur po kaq kallëzime penale.

Gjatë këtyre tri viteve Policia e Kosovës ka evidentuar 37 lokaleve të cilat janë shfrytëzuar për tu ushtruar prostitucion.

Sa i përket lokaleve të mbyllura në të cilat ushtrohej prostitucioni, Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet kompetente ka njoftuar se janë mbyllur 185 lokale gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019.

“DHTQNJ gjatë aktiviteteve të saj me karakter parandalues në bashkëpunim edhe me institucione tjera ka bërë kontrollimin e atyre vendeve/lokaleve ku është dyshuar apo ka pasur informacione se po ushtrohet veprimtari e kundërligjshme dhe gjatë atyre kontrollimeve së bashku me inspektorët dhe gjykata janë mbyllur gjithsej 185 lokale, këto të dhëna janë për periudhën kohore 2017,2018 dhe Janar-Nëntor 2019”, thuhet në përgjigjen e policës për Gazetën Sinjali.

Gjatë këtij viti janë mbyllur dhjetëra qendra të masazheve, kryesisht në Prishtinë, Ferizaj si dhe Gjilan.

Shumica e këtyre qendrave të masazheve kanë reklamuar aktivitete e tyre në rrjetet sociale, reklamime këto në të cilat janë postuar fotografi joshëse duke treguar pjesë të trupit të femrave të cilat bëjnë ‘masazhë’.

Nuk kanë qenë të rralla rastet kur këto qendra masazhi kanë ofruar mundësi që të komunikohet drejt për së drejti me ‘masazherkat’.

Kujtojmë se Prokuroria e Gjilanit gjatë këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari policor i cili ka qenë përgjegjës për disa qendra të masazhit ku dyshohej  se është ushtruar prostitucion. /Gazeta Sinjali/