image Propagandon Drecun: Dhuna në veri po shkaktohet nga Kosova dhe Perëndimi për ta fajësuar Serbinë

Politikë

Propagandon Drecun: Dhuna në veri po shkaktohet nga Kosova dhe Perëndimi për ta fajësuar Serbinë

news image

Kryetari i të ashtuquajturit Komision Parlamentar për Kosovë në Serbi, Milovan Drecun, thotë se pas “gjoja” sulmeve me mjete shpërthyese në veri të Kosovës “nuk qëndrojnë serbët dhe se qëllimi kryesor pas shkaktimit të incidenteve është stacionimi i përhershëm i një numri të madh të forcave speciale në veri të Kosovës, si dhe dërgimi i pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës”.

“Shpërthimet që u dëgjuan një natë më parë (të mërkurën) në Mëhallën e Boshnjakëve ishin në pjesën ku jetojnë vetëm shqiptarët, por gjithçka u atribuohet serbëve për të anuluar efektin e protestës paqësore, demokratike të serbëve që rezultoi me dalje nga institucionet e Kosovës. Gjithashtu, nuk bëhet fjalë për mjete shpërthyese, sepse nuk ka dëshmi për një gjë të tillë. Janë dëgjuar shpërthime që mund të shkaktojnë goditjet me top”, pretendon Drecun.

Ai ka shtuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “dëshiron të promovojë një imazh mediatik se si protesta e serbëve nuk është paqësore”.

“Aspirata e tij është t’i paraqesë serbët si banditë dhe se ata janë një lloj bandash serbe dhe ish-pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës të cilët e braktisën atë, në mënyrë që të krijojë një histori se ka formacione paralele të serbëve në veri”, vazhdon Drecun.

Ai ankohet se Perëndimi mezi priti të reagojë pas raportimeve të tilla.

“Ata thanë ‘ne e dënojmë dhunën’, por praktikisht përgjegjësia u kalon serbëve. Është një fushatë e planifikuar dhe Kurti nuk do të heqë dorë prej saj dhe do të ketë mbështetjen e fshehtë të Perëndimit. Ai vazhdimisht do të ruajë dhe rrisë tensionet në mënyrë që Beogradi ta pranojë propozimin evropian për zgjidhjen e problemeve me Kosovën”, pretendon Drecun.

Drecun thotë se është i “brengosur” për mundësinë e operacionit “flamuri i rremë”, në të cilin “do të vepronin vetë shqiptarët me ndihmën e disa shërbimeve perëndimore dhe se do të kryenin sulme ndaj njësive speciale të Policisë në veri apo ndaj forcave ndërkombëtare të pranishme atje dhe që Serbia të akuzohet për këtë”.

“Ky do të ishte një justifikim që Kurti të shtojë dhe të vendosë përgjithmonë një numër të madh të forcave speciale në veri, si dhe të dërgojë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës atje. Më duket se ky është qëllimi i tij kryesor në shkaktimin e incidenteve – të prezantohet se ekziston rrezik i madh nga “gjoja” formacioneve paramilitare serbe dhe të merret miratimi për t’u marrë me ta për të vendosur sundimin e ligjit”, pretendon Drecun.

/GazetaSinjali/