Aigars Kesenfelds, milioneri letonez i cili ka në pronësi “Monegon”, është gjithashtu pronar i vërtetë i rreth 100 kompanive të ndryshme në Letoni.
Të dhënat zyrtare të disponueshme në bazën e të dhënave të SRS në Letoni tregojnë se Aigars Kesenfelds hyri thellë në biznes privat pasi la administratën shtetërore gjatë krizës, ku ai punoi nga viti 2005 deri në vitin 2009. Në moshën 21 vjeçare, Aigars Kesenfelds filloi të punojë për Këshillin e Qytetit të Liepāja, shkruan Gazeta Sinjali.
Tashmë Aigars Kesenfelds është pronari i vërtetë i 100 ndërmarrjeve të regjistruara në Letoni, mes tyre kompani huadhënëse jo-bankare si “AS Mogo”, platforma e huave të ndërsjella “AS Mintos Marketplace” dhe ndërmarrjeve të tjera të lidhura me hotele në qytetin Liepaja, sikurse “SIA Promenade Hotel” si dhe shumë kompani fitimprurëse me kapital të madh financiar.
“SIA Lursoft” vitin e kaluar kishte hulumtuar kompanitë në Letoni, duke siguruar të dhëna për përfituesit e tyre të vërtetë. Aigars Kesenfelds dilte se mban rekordin sa i përket statusit të përfituesit të vërtetë, në raport me numrin e kompanive.
I çuditshëm është fakti se Kesenfelds aktualisht nuk mban asnjë pozitë në asnjë prej kompanive të tij të regjistruara.
Gjithsesi, i riu letonez Aigars Kesenfelds nuk ka rreshtur së ndjekuri interesat e tij mbi çdo moral në biznes duke ‘shpërndarë’ kompani edhe jashtë Letonisë si “Dyonne Trading & Investmets Limited” e regjistruar në Maltë apo “Monego” në Kosovë, dhe gjithmonë duke u fshehur prapa ‘pronësisë’. Njësoj ka ndodhur edhe me “Monegon” në Kosovë, institucionin jo-bankar i cili në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë është regjistruar në emër të Egzon Halilit nga Prishtina.
Kreditë e shpejta por fatale për xhepat e kosovarëve që lëshoheshin nga “Monego” janë ndalur më 6 dhjetor nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila kishte vendosur që t’ua vë drynin, përpos “Monegos”, edhe “Iute Creditit”.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, kishte treguar sesi “Monego” kishte shfrytëzuar kushtet e vështira financiare të kosovarëve, duke aplikuar kredi të shpejta me norma të pabesueshme të interesit.
Në rastin e “Monegos”, rreth 26% ishte norma e paraparë e interesit me rastin e marrjes së licencës, ndërsa në praktikë u aplikuan norma të interesit 80 deri në 236% mbi normën e planifikuar.
Guvernatori i BQK-së vlerëson se veprimtaria e “Monegos” ka rrezikuar aftësitë paguese të huamarrësve dhe njëkohësisht ka paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar në Kosovë.
“Monego” e Aigars Kesenfelds kishte ngritur padi kundër vendimit të BQK-së për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit për marrjen e licencës.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar dje kërkesën e “Monegos” për ta shtyrë ekzekutimin e vendimit të BQK-së për marrjen e licencës deri në zgjidhjen e çështjes, duke i vlerësuar të pabazuara pretendimet e “Monegos” në padi. /Gazeta Sinjali/