Pronarët e autoshkollave në Gjilan, kanë protestuar sot gjatë ditës te Qendra e Testimit në Gjilan, e cila ndodhet afër stacionit të autobusëve, aty ku mbahen edhe orët e vozitjes për qytetarët.
Ata në shenjë pakënaqësie kanë dalur për t’i shprehur kërkesat e tyre për rifillimin e punës, ngjajshëm sikur bizneset e tjera, ku shumë prej tyre kanë filluar punën nga 1 qershori, datë kur Qeveria e Kosovës lehtësoi masat me fazën e tretë, raporton Gazeta Sinjali.
Kërkesa e tyre kryesore ka qenë që autoshkollat të mos nënvlerësohen dhe të mos u bëhet e padrejtë me mos-hapjen e tyre. Sipas tyre, bizneset e tjera kanë filluar punën, radio-taksitë dhe bizneset e tjera në Gjilan veçse janë duke punuar.
Ndërkaq, që nga 12 marsi, atëkohë kur u mor vendimi nga Qeveria Kurti, për masat parandaluese kundër koronavirusit, ku u ndërprenë edhe paraqitjet e provimeve dhe testimi i kandidatëve për patentë shoferë, ende nuk ka asnjë vendim tjetër për rifillimin e punës së tyre.
“Duke kërkuar mirëkuptim nga kandidatët për patentë shofer, autoshkollat dhe opinionin publik, njofton se në konform masave parandaluese rreth koronavirusit, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nga sot (12 mars), ndërprehet paraqitja e provimeve dhe testimi i kandidatëve për patentë shofer nga pjesa teorike dhe praktike në të gjitha Njësitë Regjionale të Patentë Shoferëve në përputhje me vendimin e Qeverisë për masat parandaluese kundër koronavirusit”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.
E, me 8 qershor, ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi,u takua me kryetarin e Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli dhe përfaqësuesit e tjerë, Afrim Islami dhe Driton Presheva, me të cilët ka diskutuar për hapjen e tyre në ditët në vijim./ Gazeta Sinjali/