image Prokuroria urdhëron Policinë e Kosovës ta intervistojë Ramiz Kelmendin

Kosovë

Zgjedhje/ Prokuroria urdhëron Policinë e Kosovës ta intervistojë Ramiz Kelmendin

news image

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendin, i cili po hetohet për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, ndaj punëtorëve të tij, raporton Gazeta Sinjali.

Zyrtarja për informim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj  ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se Policia e Kosovës është autorizuar për intervistim të Ramiz Kelmendit.

“Mund të konfirmoj se ndaj personit që ju po i referoheni janë ngritur hetimet si dhe është autorizuar Policia e Kosovës për intervistim”, ka deklaruar Ulaj për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka kërkuar të marr një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës për këtë çështje, por që deri më tani nuk ka është kthyer ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër Kelmendi në një deklarim të tij gjatë ditës së sotme, ka thënë se ai nuk është njoftuar për hetimet që po zhvillohen ndaj tij. Ka thënë se aktualisht gjendet jashtë shtetit duke i kryer disa analiza.

Në ndërkohë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ditë më parë në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka njoftuar publikisht se është takuar me punëtorët e tij të rrjeteve “ETC” për të kërkuar votën për PDK-në.

Në njërin nga njoftimet e tij, ai kishte thënë se së bashku me punëtorët e tij është dakorduar që më 6 tetor ta votojnë PDK-në.

“Edhe sot vazhduam lobimin në Etc 1 dhe Etc 2 dhe filialet në Prishtinë. Kënaqësi të kesh mbështetje me vullnet nga kolegët e punës, veçanërisht nga ata të cilët, pjesa dërmuese e tyre janë me përvojë pune në kompaninë tonë me mbi 15 vjet, U dakorduam për PDK me numër 112 dhe z.Kadri Veseli – Kryeministër”, kishte shkruar Kelmendi.

Katër ditë më parë, ai po ashtu për PDK-në kishte lobuar tek punëtorët e tij edhe në Prizren.

“Sot pasdite në mbështetje të PDK-së në qytetin e Prizrenit. Bashkëbisedim me kolegët e punës për të mbështetur PDK-në. Poashtu takim i sinqertë dhe frytdhënës me anëtarët e Shoqatës SHZAP”, kishte shkruar Kelmendi në Facebook.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas interesimit të Gazetës Sinjali, ka dërguar një komunikatë për media ku ka njoftuar se kanë filluar hetimet ndaj Kelmendit, nën dyshimin për “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore të Prishtinës.

Kelmendi gjatë ditës së djeshme i kishte thënë ktv-së se është i obliguar të lobojë për PDK-në tek të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe tek punëtorët e tij, pasi që sipas Kelmendit edhe ata janë qytetarë të Kosovës.

Në ndërkohë Gazeta Sinjali ka kontaktuar sot Mulë Deskun nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili ka thënë se deri më tash nuk është pranuar asnjë ankesë ndaj Kelmendit.

“Ashtu siç kam deklaruar edhe dje, as sot nuk kemi ndonjë ankesë ndaj personit që ju po i referoheni”, ka deklaruar ai për Gazetën Sinjali.

Kujtojmë se Kelmendi kishte vendosur të tërhiqet nga politika, duke mos u bërë pjesë e listave të kandidatit për deputet. Kishte thënë se pas insistimit të Kadri Veselit, ka vendosur që ta mbështesë atë për kryeministër të Kosovës./Gazeta Sinjali/