Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një shtetasi të Sirisë, i cili gjendet në paraburgim në Kosovë nga data 22 gusht.
Siriani dyshohet se ka kontrabanduar me migrantë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas aktakuzës, siriani M.A., më 22 gusht në Prizren është vërtetuar se merret me kontrabandim me migrantë. Sipas prokurorisë, ai paraprakisht kishte kontaktuar me të dëmtuarin A.K., përmes telefonit gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, duke u marrë vesh që i njëjti t’i dërgojë deri në kufirin e Kosovës në Pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku më pas të dëmtuarit kanë kaluar jashtë vendit të përcaktuar përmes malit dhe kanë hyrë në territorin e Kosovës. Ai, sipas marrëveshjes, do t’i priste në vendin e caktuar dhe me automjet i ka bartur deri në qytetin e Prizrenit.
Më pas, siriani në afërsi të një hoteli ishte ndaluar nga ana e patrullës së Policisë dhe me kontrollimin paraprak të automjetit është vërtetuar se në automjet kanë qenë tre shtetas të huaj, të cilët nuk posedonin asnjë dokument identifikues, me ç’rast është vërtetuar se dy prej tyre janë nga Siria ndërsa i treti është shtetas irakian. Ata janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që siriani të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Gazeta Sinjali/