image Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër zyrtarit të ATK-së

Kosovë

Keqpërdorim/ Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër zyrtarit të ATK-së

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqit, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Siç njofton Prokuroria, Krasniqi “gjatë periudhës kohore nga viti 2013 deri në muaj shkurt të vitit 2019, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar në Administratën Tatimore të Kosovës në Prishtinë, në pozitën e Ushtruesit të Drejtorit të Njësisë se Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, me qëllim të shkaktimit të dëmit për Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për njëqindenjëzet (120) bizneset ekonomike”.

Poashtu, ai për disa biznese nuk ka ndërmarr asnjë aktivitet, vizitë, kontrolle, rikontrolle e as inicim të procedurave penale, duke shpërdorur pozitën e tij zyrtare apo autoritetin e tij.

“I pandehuri S.K. ka autorizuar punëtorët e ATK-së, duke kërkuar nga ata që të vizitonin disa nga bizneset ekonomike dhe duke kërkuar nga këta zyrtarë të Administratës Tatimore, të bëjnë korrigjimet e deklarimeve tatimore në ato biznese të vizituara, në cilat deklarime kanë qenë të lidhur me faturat e dyshuara dhe transaksione fiktive me biznese fiktive, në kundërshtim të nenit 64 par 2 të ligjit te ATK-se 03/L – 222, duke mos ndërmarr veprime hetimore në procedura penale bazuar ne nenin 68 të ligjit të ATK-së. Me këto veprime i pandehuri S.K. ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur më paragrafin 2 nën paragrafit 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. /Gazeta Sinjali/