Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër 15 të akuzuarve për rastin “Subvencionet II”.
Prokuroria Speciale njofton se aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve si persona zyrtar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe përfitues të subvencioneve në mënyrë të kundërligjshme për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Sipas aktakuzë të pandehurit L.S dhe B.M, dyshohen për veprën penale marrje ryshfeti. Të pandehurit S.SH dhe B.N, dyshohen për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Të pandehurit G.M, R.Z, A.M, D.D, D.D, R.Z, H.M, S.B, H.M, P.K, dyshohen për veprën penale dhënie e ryshfetit.
Sipas njoftimit të PSRK-së i pandehuri B.B, dyshohet për veprën penale ushtrim i ndikimit. Ndërkaq, të pandehurit G.M, R.Z, A.M, D.D, R.Z, H.M, dyshohen për veprën penale mashtrim me subvencione.