Administrata Tatimore e Kosovës me datën 24 dhjetor të këtij viti ka njoftuar se ka pranuar aktgjykimin të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të nxjerrë më 11 dhjetor 2020, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas këtij aktgjykimi, Prokurori i Shtetit është tërhequr nga ndjekja penale e të akuzuarit Safet Krasniqi, për shkak të, siç thuhet në arsyetimin e prokurorisë, mungesës së provave.
“Nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i njëjti ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, apo që nuk i ka përmbushur detyrat e tij të përcaktuara me ligj”, thuhet në aktgjykim.
Tutje në këtë aktgjykim thuhet se Krasniqi nuk i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në këtë Aktgjykim është vërtetuar se zyrtari në fjalë i akuzuar ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe të gjitha veprimet janë bërë në koordinim me prokurorin e çështjes dhe se i njëjti ka qenë i përfshirë dhe i njoftuar për të gjitha veprimet e inspektorëve hetues.“
“ATK bën të ditur për opinionin publik se rasti ka të bëjë me Aktakuzën të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, PPS.nr.09/19. ATK njofton opinionin publik se veprimet e ndërmarra nga zyrtaret e ATK-së lidhur me këtë rast, por edhe për rastet e mëhershme të zyrtarëve të hetuar të bëra publike në media, kanë qenë në harmoni të plotë me ligjin”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/