image Prokuroria nuk ua ka thënë ende asnjë fjalë familjes për vdekjen e dyshimtë të Sevdije Kuklecit

Drejtësi

Prokuroria nuk ua ka thënë ende asnjë fjalë familjes për vdekjen e dyshimtë të Sevdije Kuklecit

news image

Kanë kaluar gati dy muaj që kur Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me rastin e vdekjes së Sevdije Kuklecit nga Istogu, për të cilën u raportua se ka vdekur si pasojë e koronavirusit. Rreth 10 ditë më parë, Gazeta Sinjali publikoi ekskluzivisht dokumentin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili tregon se shkaku i vdekjes së 39-vjeçares në të vërtetë nuk ishte koronavirusi, por Sepsa.

“Sëmundja apo gjendja e drejtpërdrejtë që e ka shkaktuar vdekjen – SEPSA. Gjendja e cila ka sjellë deri te shkaktari i vdekjes – PERITONITI FIBRINOZ PURULENT. Shkaktari kryesor i vdekjes – PERFORIMI I ULCERËS DEODENALE”, thuhej në certifikatën e vdekjes së të ndjerës.

Motra e Sevdijes, Fatime Salihu ka thënë për Gazetën Sinjali se janë duke pritur përgjigje nga Prokuroria, por se deri tani nuk kanë pranuar asnjë informacion lidhur me hetimet.

“Po presim përgjigje. Nga prokuroria më kanë thënë që do të më informojnë për çdo të re. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për motrën tonë derisa drejtësia të gjejë vendin e duhur”, ka thënë Salihu.

Familja që nga fillimi dyshonte se Sevdije Kukleci kishte vdekur nga moskujdesi i mjekëve në Spitalin e Pejës, ku e ndjera u trajtua pasi kishte problem me lukth. Pas tre ditësh trajtim në këtë spital, Sevdije Kukleci u zhvendos për trajtim në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa familja e saj insiston se referimi i vonuar nga Spitali i Pejës ka qenë fatal për të.

Lidhur me pretendimet e familjes për neglizhencën e mjekëve ndaj të ndjerës Kukleci, Prokuroria e Pejës më 19 prill kishte filluar hetimet ndaj stafit mjekësor të këtij spitali. Por meqenëse Kukleci kishte vdekur në Prishtinë, Prokuroria e Pejës këtë lëndë për hetim ia ka përcjellë Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me prokuroren e rastit, Bukurije Gjonbalaj, por e njëjta nuk ka pranuar të tregojë se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast ./Gazeta Sinjali/