Gazetari kosovar, Valon Syla, është sulmuar fizikisht para dy dite në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se i dyshuari për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla është Bashkim Jupa nga fshati Molliq i Komunës së Gjakovës, me vendbanim në Zvicër dhe se është vëllai i zyrtarit të lartë të PDK-së dhe ish-zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim ndaj Bashkim Jupës.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, më 22 dhjetor 2020, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet B.J.
Më 23.12.2020, Prokurori i Shtetit ka filluar hetimet dhe në të njëjtën kohë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.J., në drejtim të veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin, gazetarin me inicialet V.S.