image Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për mësimdhënësin që dyshohet se rrahu brutalisht nxënësen në Viti

Drejtësi

Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për mësimdhënësin që dyshohet se rrahu brutalisht nxënësen në Viti

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj mësimdhënësit Hasan Rama, i cili dyshohet se ka rrahur brutalisht një nxënëse të shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana e juaj, ju njoftojmë se për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ndaj të pandehurit H.R., ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e saj për Sinjalin.

Në pamjet e publikuara ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali shihet se mësimdhënësi ia gjuan çantën dhe e rrah nxënësen, e cila më pas tenton të dalë nga klasa, por i njëjti nuk e lejon, duke vazhduar të bërtas.

Policia fillimisht s’kishte informacione lidhur me këtë rast, por pas raportimit të Sinjalit e ftuan në stacion policor mësimdhënësin e dyshuar, i cili, me urdhër të prokurorit, u ndalua për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/