Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka reaguar ndaj deklaratave të përkthyesit, të raportit të Astrit Deharit, Ismail Ismailit, i cili gjatë ditës së sotme për Gazetën Sinjali, ka thënë se konkluzionet i ka marrur përmes Viberit.
Prokuroria përmes një njoftimi ka thënë se pretendimet e përkthyesit nuk janë të vërteta. Në komunikatë thuhet se raporti është dhënë i plotë për përkthyesin.
“Për hir të informimit të drejtë e të saktë të opinionit, përkthyesi ka pranuar raportin e ndarë në dy pjesë. Pas marrjes së raportit të përkthyer në gjuhen shqipe nga përkthyesi, Prokuroria ka vërejtur se faqja 14 në të cilën kanë qenë të përfshira konkluzionet nuk ka qenë e përkthyer në gjuhen shqipe”.
“Faqja e parafundit nr.13 përmban konkluzione me nënshkrimin e dy autorëve, ndërsa faqja e fundit nr.14 përmban konkluzione nga dy raportet e nënshkruar nga tre autorë, dhe ne besojmë se përkthyesi është vënë në lajthim nga faqja e 13 duke menduar se aty përfundon raporti. Ndërsa, edhe vet përkthyesi ka theksuar se ka pranuar raportin prej 14 faqesh”, thuhet në reagim.
Po ashtu njoftimi më tej thotë se pasi që është parë nga prokuroria se mungon faqja 14 e cila kishte konkluzionet është kërkuar nga përkthyesi që të përkthehen menjëherë.
“Faqja e 14 e raportit ka munguar në përkthim në gjuhën shqipe dhe me të vërejtur këtë fakt Prokuroria ka kërkuar nga përkthyesi që menjëherë të përkthehet edhe faqja e 14 në mënyrë që të kompletohet raporti dhe i njëjti ti dorëzohet në të dy gjuhët familjes. (Lidhur me këtë sqarim mund ti shihni edhe dy faqet e raportit në gjuhën frënge të bashkangjitur në këtë komunikatë). Për të gjitha këto Prokuroria i posedon të gjitha dëshmitë se përkthyesi e ka pranuar tërë materialin e kompletuar së bashku me konkluzionet të cilat kanë qenë në faqen 14”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Në anën tjetër Gazeta Sinjali, gjatë ditës së sotme përveç se ka kontaktuar me përkthyesin i cili ka thënë se ajo pjesë i është dërguar përmes Viberit, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit Metush Birajn, i cili fillimisht kishte thënë se nuk është i informuar për këtë çështje e më pas ka thënë se përkthyesi e ka pasur të gjithë raportin.
“Çka është ajo pyetje z. gazetar? Po çka je tu bo kësi farë lloj pyetje? Hajgare tash je tu bo a? Krejt ia kemi dhanë me kohë atij, përkthyesit ato farë materialet. Në tërësi e ka pranuar, komplet në gjuhën frënge e ka pranu materialin… more përfshirë me konkluza e me krejt, komplet materialin e ka pasë përkthyesi në dispozicion. Komplet, komplet, komplet, me konkluza, me të gjitha” ka thënë prokurori Biraj./Gazeta Sinjali/