Ndaj tri infermiereve Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi të përfshira në rrahjen dhe incizimin e të moshuarës në Qendrën e Kujdesit të Moshuarve Orenda në Pejë, Prokuroria Themelore e Pejës pritet të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Lajmin e ka bërë të ditur pë Gazetën Sinjali zëdhënësi i PThP-së Shkodran Nikqi.
“Në bazë të afatit ligjor, për momentin është duke u përgatitur kërkesa për paraburgim për të tri të dyshuarat”, deklaroi Nikçi.
Gazeta Sinjali ka raportuar dje për rrahjen dhe incizimin e të moshuarës në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Tri të dyshuarat janë arrestuar nga Policia, të cilat me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se infermieret e dyshuara, do të hetohen për veprat penale “Sulmi”, “Moslajmërimi i përgatitjes se veprave penale” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera te paautorizuara”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.