image Prokuroria deklarohet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi

Prokuroria deklarohet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

news image

Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë ka pranuar se hetimet “nuk janë të lehta” për vrasjen e trefishtë në Deçan.

I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha për Radion Evropa e Lirë prokurorja e rastit, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës shkolle – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit – rreth 100 kilometra larg Prishtinës.

Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që kushdo që ndihmon në kapjen e autorit, do të shpërblehet me 20 mijë euro.

Ndërsa, kryeministri Kurti, mbrëmë është takuar me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti. Pas këtij takimi, Kurti ka thënë se sasia e informacionit po rritet por ende nuk kanë zgjidhje

“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet, po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet, në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti.

Dje, u është dhënë lamtumira e fundit tri viktimave të këtij krimi makabër, ku morën pjesë qindra qytetarë.

/GazetaSinjali/