Në Gjykatën Speciale në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar po e paraqet fjalën e saj të fundit në rastin e ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafa.
Prokurori Jack Smith lexoi pjesë të deklaratave të dëshmitarëve dhe viktimave që u paraqitën në procesin gjyqësor ndaj Sali Mustafës. Ai tha se “viktimat janë torturuar dhe vrarë” në një kompleks ndalimi në Zllash më 1999.
“Viktimat janë rrahur me sëpata, turpat e tyre janë djegur me qirinj dhe hekura të nxehtë, janë therur me thikë […] Dëshmitarët kanë treguar se shpeshherë janë zgjuar me trupat e tyre të mbuluar me gjak”, tha Smith në seancën e sotme.
Specifikisht, Smith solli në vëmendje deklaratën e dëshmitarit 679, një të riu i cili sipas tij ishte vrarë aty.
“Nga abuzimi i viktimave askush nuk ka vuajtur më shumë se i riu (viktima 1617) që është pjesë e kësaj çështje e i cili është vrarë në Zllash. Viktima është dërguar në Zllash më 1999. E dimë që ky kompleks është kontrolluar atë kohë nga BIA e UÇK-së. Ky kompleks ishte nën komandën e të akuzuarit, Z.Mustafa. E dimë që viktima është torturuar për më shumë se 2 javë duke filluar nga 1 prilli 1999. E dimë që nga dita e parë se viktima e vrasjes është ndarë për t’u trajtuar në mënyrë abuzive”, deklaroi Smith.
Prokurori parafrazon një dëshmitar që thotë se ka thënë se viktima “është djegur dhe therur me thikë”.
“Kur e kanë sjellur në ahur pasi e kishin nxjerr për ta torturuar, ai dukej tërësisht i mbaruar. Kishte njolla në trup, sipas dëshmitarit 4669 ai ishte i nxirë nga të rrahurat, çdo gjë, hunda sytë ishin të nxirë nga rrahjet dhe nuk mund të qëndronte në këmbë”, tha Smith.
Prokurori tha se ky viktim ishte përdorur si shembull, si paralajmërim për të ndaluarit tjerë.
Gjykimi ndaj Mustafës nisi më 15 shtator të vitit të kaluar dhe zgjati deri më 20 qershor të këtij viti.
Prokurorët nxorën 14 dëshmitarë, ndërsa 15 dëshmitarë dëshmuan në mbrojtje të Mustafës.
Fjalën përmbyllëse, në të cilën do të propozojnë dënimin, po e prezantojnë sot prokurorët, ndërsa të mërkurën, më 14 shtator, mbrojtja e Mustafës dhe përfaqësuesi i viktimës o ta thonë fjalën e tyre përfundimtare.