Ish-prokurori serb për krime të luftës, Vladimir Vukçeviq, ka rrëfyer për bashkëpunimin e tij me hetuesit dhe prokurorët e Gjykatës Speciale, në një intervistë për mediumin serb KoSSev, të premten, transmeton Gazeta Sinjali.
Duke komentuar lajmin për dërgimin e 4000 dosjeve të Gjykatës Speciale në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ditë më parë, nga një person i maskuar, Vukçeviq, ka thënë se kjo gjë i duket e “çuditshme dhe e pabesueshme”.
Një korrespondencë e vitit 2013 midis ish-Prokurorit Special, Clint Williamson dhe ish-prokurorit serb, Vladimir Vukçeviq ishte një ndër dokumentet e prezantuara në media si material që pretendohet të ketë dalë jashtë Prokurorisë Speciale.
Vukçeviq ka rikujtuar masat e larta të sigurisë që i kanë ndërmarrë hetuesit në të kaluarën, ndërsa ka përmendur se selia e Clint Williamson ishte në hapësirat e NATO-s në Bruksel.
“Aq ishte i lartë diskrecioni për të mos u zbuluar kush ishin dëshmitarët”, ka thënë ai.
“Të vetmit që ishin atje ishim unë dhe zëvendësi im, Bruno Vekariq. Askush tjetër. Ishte aq e mbyllur për këdo”, ka shtuar ai.
Vukçeviq thotë se ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Clint Williamson.
Ai ka pohuar se në kohën kur Williamson punonte në raportin e vet, ai i kishte marrë dëshmitarët në pyetje në hapësirat e Prokurorisë për Krime të Luftës në Beograd.
“Nuk më ka dërguar kurrfarë dëshmitarësh, as emrat e dëshmitarëve, që unë t’i marr në pyetje, një gjë e tillë as nuk ishte e mundur. Sipas procesit, nuk mund të më urdhërojë ai mua, dhe askush tjetër”, ka thënë Vukçeviq.
“Ai neve na kishte dhënë listën e dëshmitarëve që u interesonin atyre, pastaj unë ia pata dhënë urdhrin shërbimit tonë që t’i ftonte dhe t’i sillte. Kjo ishte procedura, megjithatë kurrfarë email-i shtesë nuk më ka dërguar ai mua, që unë t’i marr në pyetje. Ata janë marrë në pyetje pa neve. Ne vetëm ofronim logjistikë”, ka thënë ish-prokurori serb.
“Larg qoftë që m’i dërgonte emrat me email”, ka shtuar ai.
Vukçeviq edhe një herë ka rikujtuar që Prokuroria serbe për krime të luftës i ka marrë në pyetje dëshmitarët e vet në fazën para krijimit të Dhomave të Specializuara, që ata ishin persona për të cilët konsiderohej se mund të ndihmojnë në zbardhjen e krimeve të luftës dhe që kjo punë i paraprinte nismës së Dick Martyt.
“Nuk e ka zbuluar Dick Marty atë, por ne. Pasi që shqiptarët refuzuan të bashkëpunojnë, unë ia përcolla Komisionit Evropian, pastaj Dick Marty erdhi, e konfirmoi se ajo që ne kemi zbuluar është proceduralisht valide”, ka thënë ish-prokurori serb. /Gazeta Sinjali/